26/05/2025
"Fisnikëria, Madhëri…"
Një ditë, mbretit i dhuruan një mëz të bukur. Kur e pa, mbreti vendosi të dëgjonte mendimin e kopshtarit të tij të vjetër, një njeri i mençur e me sy të mprehtë.
— Si të duket mëzi? — e pyeti ai.
Kopshtari u përkul lehtë dhe tha:
— Fisnikëria, Madhëri… fisnikëria!
Mbreti ngriti vetullat.
— Ç’dëshiron të thuash me këtë?
— Madhëri, një mëz fisnik, kur i bien mizat mbi shpinë, i tremb me bisht. Kurse mëzi ynë… kthen kokën dhe i përzë me gjuhë. Si lopë.
Mbreti, i habitur nga vëzhgimi i thellë i kopshtarit, thirri menjëherë njeriun që i kishte dhuruar mëzin. Ai, i turpëruar, rrëfeu:
— Madhëri, e ëma e mëzit ngordhi sapo lindi. E ushqyem me qumësht lope… dhe ai u rrit me të.
Mbreti tundi kokën dhe urdhëroi:
— Jepini kopshtarit një racion shtesë ushqimi.
Kaluan disa javë, dhe një tjetër dhuratë mbërriti në pallat: një gjel deti i bukur. Edhe këtë herë, mbreti thirri kopshtarin për mendim.
— Çfarë mendon për gjelin?
— Fisnikëria, Madhëri… fisnikëria.
— Prapë?! Çfarë nuk shkon kësaj radhe?
— Madhëri, një gjel deti fisnik, para se të këndojë, fryhet, i bëhet kreshta blu dhe këndon me krenari. Kurse ky këtu... fryhet, i bëhet kreshta blu… dhe në vend të këndojë, fut kokën në ujë.
Përsëri, mbreti kërkoi sqarim. Dhuruesi pranoi:
— E vendosa vezën e gjelit nën një rosë… u rrit me to dhe mori sjelljet e tyre.
Mbreti u kthye kah kopshtari dhe urdhëroi:
— Jepini sërish një racion shtesë me ushqim këtij njeriu të mençur!
Një ditë me diell, teksa shëtiste në oborr, mbreti iu drejtua kopshtarit me buzëqeshje:
— O kopshtar, s’të kam pyetur ndonjëherë... po për mua, ç’mendim ke?
Kopshtari u përkul lehtë dhe tha me zë të butë:
— Fisnikëria, Madhëri… fisnikëria.
Mbreti u zbeh.
— Edhe unë? — pëshpëriti dhe vrapoi menjëherë te nëna e tij.
— Nënë, të lutem, më thuaj të vërtetën për origjinën time… ka diçka që nuk shkon?
Nëna uli sytë dhe foli me zë të thyer:
— Biri im… kur u martova me mbretin, ai ishte plak e unë një vajzë e re… Kam bërë një gabim. Babai yt i vërtetë… është kuzhinieri i pallatit.
I tronditur, mbreti u kthye te kopshtari dhe i tha:
— Si e kuptove ti këtë?
Kopshtari u përkul edhe një herë dhe tha me qetësi:
— Madhëri, është e thjeshtë. Të gjithë mbretërit para jush, si shpërblim jepnin monedha ari, qese me flori… ndërsa ju, veç një racion shtesë me ushqim.
Thenie te bukura 💡Një klik për ty, një buzëqeshje për ne😊! Pëlqeje dhe shpërndaje!